Secondary Adv

Protesta masive në Tel Aviv kundër luftës në Gaza, Netanyahu vazhdon sulmet

Protestë masive në Izrael, familjet e pengjeve kërkojnë ndalimin e luftës.

I shurdhët ndaj zhurmës së sheshit të Tel Avivit, ende dje i mbushur nga një lumë njerëzish (350 mijë sipas organizatorëve) që i kërkonin fundin e luftës dhe kthimin e pengjeve në shtëpi, i painteresuar ndaj bllokimeve të rrugëve, ndaj protestave në rrugë që bllokuan autostradën kryesore të vendit, ndaj protestave përpara shtëpive të ministrave, dhe indiferent ndaj indinjatës së botës, Benjamin Netanyahu mbetet i palëkundur dhe i ngurtë mbi planin e tij për pushtimin e qytetit të Gazës.

 

Në takimin e Kabinetit të Sigurisë të thirrur në Jerusalem nuk u vendos asgjë mbi propozimin për një armëpushim 60-ditor, të pranuar nga Hamasi dhe që ende pret një përgjigje zyrtare nga pala izraelite. Sipas asaj që raporton shtypi vendas, takimi treorësh i qeverisë përfundoi "pa asnjë diskutim mbi marrëveshjen dhe pa votime formale për çështje të tjera".

 

Një tjetër raund i qëllimshëm bosh, pra, ndërsa Izraeli përmbytet nga vala e kritikave dhe e dënimeve ndërkombëtare për 22 të vrarët (dhe mbi 50 të plagosurit) të së hënës në spitalin Nasser të Khan Younis, mes tyre edhe pesë fotoreporterë palestinezë që punonin për media ndërkombëtare si Reuters dhe Associated Press, të goditur nga dy predha tanku: e dyta e qëlluar pesë minuta pas së parës.

 

Në Jerusalem, qindra protestues marshuan drejt zyrës së kryeministrit të shoqëruar nga dy rreshta policësh. Nuk pati përplasje aty, por këtë mëngjes një protestë e thirrur për "Ditën e Përçarjes" ndërpreu trafikun në rrugën kryesore që lidh Tel Avivin me Jerusalemin, me goma të djegura dhe parulla kundër Smotrich dhe Ben-Gvir, ministrave 'skifterë' të së djathtës ekstreme mesianike.

 

Kabineti i Sigurisë do të mblidhet përsëri të dielën, bëjnë me dije burime qeveritare. Mbledhja e djeshme përfundoi më herët pasi ministrat ishin të ftuar në një darkë gala të Këshillit Rajonal Binyamin, entit për kolonitë dhe vendbanimet në Bregun Perëndimor, të përfshirë në Planin E1 të urbanizimit që synon ndërtimin e mbi 3 mijë banesave mes Jerusalemit dhe Ma’ale Adumim, duke prerë në dysh Bregun Perëndimor. Me të mbërritur në event, anëtarët e qeverisë u përballën sërish me protesta, këtë herë me thirrjen "festoni ndërsa pengjet po vdesin nga uria".

 

As darka nuk do të shërbejë për të qetësuar gjendjen në Territoret e pushtuara, ku vazhdojnë dhunat e kolonëve ekstremistë kundër fshatrave palestinezë (një sulm dje ndodhi në Qawawis, në Masafer Yatta) dhe ku u godit edhe Ramallah.

 

Një bastisje e gjerë e ushtrisë izraelite, në mes të ditës dhe në qendër të qytetit, u shoqërua me dhunë ndaj banorëve, përdorim gazi lotsjellës dhe të shtëna, me ushtarët që – sipas dëshmive – u vendosën edhe mbi çatitë: 58 të plagosur sipas Gjysmëhënës së Kuqe palestineze, njëri prej tyre, një 13-vjeçar, i qëlluar në bark dhe në gjendje të rëndë. IDF thotë se operacioni ishte i drejtuar "për të goditur një sistem të fshehtë financimi të Hamasit". Pesë palestinezë u arrestuan, ndërsa një shumë e madhe parash u sekuestrua në një zyrë këmbimi.

 

Në frontin e Gazës, 75 persona u vranë dje, përfshirë 17 të vrarë ndërsa kërkonin ushqim. Në lindje të qytetit të Gazës ndodhi episodi më i përgjakshëm: pesë të vdekur, përfshirë dy gra, nga sulmi që goditi një treg të mbushur me njerëz, sipas korrespondentëve të Al Jazeera.

 

Të njëjtit raportojnë se tanket dhe avionët izraelitë po shkatërrojnë zona të tëra në periferi të qytetit të Gazës, ku ndodhen mbi një milion njerëz, mes banorësh dhe të zhvendosurish. Dhe ku ushtria po afrohet me artilerinë e rëndë, në pritje të urdhrit final të Netanyahut./La Repubblica


Më të lexuarat